INSTAT: Mbi 10 milionë të huaj vizituan Shqipërinë në vitin 2023
2024-01-26 14:51:58

Turiste ne Tirane (Foto Eperditshmja.com)

Instituti i Statistikave bëri të ditur se numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2023 pati një rritje prej 34.6% krahasuar me 2022-shin, duke shktuar në 10.155.640.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT-i, përcjellë nga “ATSH”-ja, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është Evropa, me 9.727.538 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 240.925 dhe 66.689 shtetas.

Në 2023-shin, krahasuar me 2022-shin, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë rritje, për qëllime personale me 34.9%, për qëllime pushime, vizitë te të afërm etj. me 35%; për biznes dhe qëllime profesionale me 17.6%.

Vetëm në dhjetor numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar arriti në 616.994, duke shënuar rritje me 57.6%, krahasuar me dhjetor 2022.

Ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2023 është 6.913.347, duke u rritur 17.5%, krahasuar me vitin e mëparshëm. (Irma)