Kryebashkiaku Veliaj: Tirana, model për politikat e strehimit të njerëzve në nevojë
2024-01-26 15:48:03

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se kryeqyteti shqiptar është një qytet model sa i takon politikave të strehimit për njerëzit në nevojë.

“Jam shumë krenar për politikat tona të strehimit, ku një prej nismave është kredia e butë. Po ashtu, është një qytet ku jepet bonus qiraje, ka banesa sociale; pra, kemi një paketë e cila e ka çuar Tiranën në një qytet model për të ulur thuajse në 0 nivelin e të pastrehëve”,- tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka një sistem shumë të avancuar të mbrojtjes sociale për identifikimin dhe ndihmën ndaj atyre që janë në kushte të vështira. Një nga nismat për të mbështetur studentët është hapja pa pagesë e një llogarie bankare.

“Jam gjithashtu shumë krenar që “Intesa San Paolo” është një nga bankat e para që është bërë pjesë e dy nismave tona të rëndësishme. Së pari, për të ndihmuar studentët. Kemi një Kartë Studenti ku një nga shërbimet që ofron është tarifa 0 për të gjithë studentët që vijnë në Tiranë, që hapin llogarinë e tyre të parë”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se Piramida është konceptuar që mos të ishte vetëm një shkollë tradicionale, por të shërbente edhe si një eksperiencë që krijohet nga një ekosistem ku ka shumë aktorë që marrin pjesë.

Sipas tij, Piramida shërben edhe si qendra më e madhe e teknologjisë së informacionit, ku mijëra të rinj nga 12 deri 18 vjeç mësojnë gjuhën e kodimit. (Irma)