Grupe të organizuara turistësh nga Kina vizitojnë Krujën
2024-01-26 14:35:09

Turiste ne Kruje (Foto Atsh)

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë edhe gjatë muajit janar ka tërhequr vizitorë vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, deklaroi për “ATSH”-në se nga 1 janari deri më tani muzeun e kanë vizituar 2130 vizitorë, ku 500 prej të cilëve janë të huaj.

“Në këtë fillimviti qyteti i Krujës ka filluar të vizitohet nga grupet e para të organizuara të turistëve, të cilët vijnë kryesisht nga Kina, por ka edhe turistë italianë, spanjollë dhe nga Malta”,- tha Hafizi.

Hafizi tha se gjatë vitit të kaluar Muzeu i Krujës pati një rritje vizitorësh prej 65% në krahasim me 2022-shin. Nga janari deri në dhjetor 2023 ai u vizitua nga 110.162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës e studentë.

Në ditët e para të janarit muzeun e vizituan 15 operatorë turistikë nga Kina, pjesë e një “FAM Trip”, organizuar nga “Landways International”. Përfaqësuesit e kompanive kineze shprehin interes dhe optimizëm për rritjen e numrit të turistëve kinezë në Ballkan dhe në Shqipëri.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. (Irma)