Protestat e fermerëve në BE, Von der Leyen: Polarizimi të tejkalohet përmes dialogut
2024-01-26 14:46:08

Foto RTSH

Bashkimi Evropian duhet të tejkalojë polarizimin në sektorin agroushqimor përmes dialogut, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa fermerët e disa vendeve të bllokut kanë zhvilluar protesta kundër rritjes së kostove të prodhimit, shkruan “RTSH”.

Von der Leyen, e cila synon të rizgjidhet në krye të organit ekzekutiv të BE-së, në zgjedhjet e PE-së që zhvillohen në qershor, lançoi të enjten Dialogun Strategjik për të Ardhmen e Bujqësisë, një forum i ri që do të ketë si detyrë formimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e sektorit agrobujqësor të BE-së. 

Ajo e vuri theksin te rëndësia që bujqësia ka për bllokun, ndërsa pranoi sfidat me të cilat po përballet ky sektor, por ndërkohë theksoi rëndësinë e marrëveshjes së gjelbër evropiane, që kundërshtohet nga fermerët, e cila sipas Von der Leyen është jetësore për ruajtën e natyrës.

Prej kohësh, fermerët në disa vende evropiane protestojnë ndaj shtimit të kostove të prodhimit, si dhe ndaj rregulloreve nën marrëveshjen e gjelbër evropiane, sipas së cilës deri në vitin 2030 duhet të reduktohen me 43 për qind emetimet e gazeve serrë. (Irma)