Dhoma e Deputetëve në Itali miratoi projektligjin për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët
2024-01-25 15:50:04

Parlamenti italian (Foto ATSH)

Parlamenti italian (Foto ATSH)

Dhoma e Deputetëve në Itali i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët nënshkruar me Shqipërinë, ndërsa i kalon për miratim Senatit italian. Me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenim, Dhoma e Deputetëve miratoi më 24 janar projektligjin për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët, “Për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e emigracionit”, shkruan “RTSH”.

Projektligji parashikon zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 6 nëntor 2023 mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni për krijimin në Shqipëri të strukturave për pritjen e deri 3 mijë emigrantëve që shpëtohen në det.

Marrëveshja, me miratimin e plotë nga dy vendet, mbetet në fuqi për 5 vjet dhe rinovohet në heshtje për një periudhë të mëtejshme prej 5 vjetësh, përveç rasteve kur njëra nga dy palët kundërshton rinovimin dhe duhet të lajmërojë të paktën gjashtë muaj para.

Për sa u përket kostove të lidhura, projektligji parashikon që pala italiane, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, krediton 16.5 milionë euro si paradhënie të një shume të madhe të rimbursimeve që lidhen me vitin e parë të aplikimit. Më pas, pala shqiptare do t'i komunikojë palës italiane shumën e shpenzimeve të kryera në semestrin e kaluar.

Në mënyrë të veçantë, ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 që synojnë krijimin e strukturave të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë euro.

Ndërsa në Shqipëri, marrëveshja për emigrantët ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, pasi 30 deputetë kërkojnë ndalimin e ratifikimit të tij nga Parlamenti dhe pezullimin e procedurave. (Elona)