Ministrja e Arsimit shpall 2024-n “Viti i Gjuhës Shqipe”
2024-01-25 15:14:00

Ministrja Ogerta Manastirliu (Foto Panorama)

Ministrja Ogerta Manastirliu (Foto Panorama)

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ministrja Ogerta Manastirliu, njoftoi shpalljen e 2024-s “Viti i Gjuhës Shqipe”.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja shprehet se investimi në arsim mbetet prioritet, citon “Panorama”.

“Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e cila e drejton vëmendjen te rëndësia e edukimit, si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve. Investimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet. Përmes arsimit, mundemi të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të nxisim inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social. Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin  përpara”,- shkroi ministrja Manastirliu.

Për vitin e Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit dhe Sportit mësohet se ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar, ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.

“Si Ministri e Arsimit dhe Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë”,- tha ministrja Manastirliu, ndërsa ka renditur aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti kalendarik dedikuar ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.

Aktivitetet do të kulmojnë më 22 nëntor, në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip. (Elona)