Balluku: Poligoni i testimit për lejet e drejtimit rrit standardet dhe transparencën
2024-01-25 14:42:43

Foto ATSH

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi nga afër investimin e realizuar në poligonin e testimit praktik për lejet e drejtimit, i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Balluku deklaroi se falë punës dhe investimeve të realizuara, DPSHTRR-ja ka rritur ndjeshëm standardin dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, duke u kthyer edhe në një shembull për risitë e sjella të cilat kanë lehtësuar qytetarët, shkruan “ATSH”.

“DPSHTRR-ja padyshim ka krijuar një standard të ri, një standard të cilin unë e marr shpeshherë edhe për shembull për të gjitha ndërmarrjet e tjera sesi duhet të funksionojë inovacioni, sesi duhet vetë ndërmarrjet të arrijnë të sjellin të ardhura, të cilat do të përkthehen më pas në investime, si në rastin e DPSHTRR-së. Diçka shumë e rëndësishme për qytetarët që janë drejtues automjetesh është edhe vendimi që u mor gjatë vitit të kaluar për sa i përket patentës 15-vjeçare”,- tha Balluku.

Drejtori i ri i DPSHTRR-së, Ilir Mëngra, theksoi se kjo ndërhyrje i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare dhe tashmë ofron kushte të larta sigurie dhe transparence.

“Përpara se të vinim te kjo pistës që është poligoni i testimit praktik për leje drejtimi dhe Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale, ne kemi pasur vështirësi shumë të mëdha për sa i përket testimit praktik në fazën e parkimit. Ngaqë nuk kishte një pistë ne ishim të detyruar të drejtoheshim nëpër ambiente informale në Tiranë”,- tha Mëngra, duke shtuar se investimi i realizuar shtrihet në një pistë rreth 6 mijë metra katrorë, me fonde të përballura nga buxheti i DPSHTRR-së.

Poligoni i testimit praktik për leje drejtimi është një hapësirë e dedikuar tërësisht kandidatëve të cilët duan të pajisjen me leje drejtimi dhe që ofron kushte dhe standarde të larta, duke rritur njëkohësisht transparencën. Gjithashtu, Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale, pjesë e kësaj hapësire, ka të gjitha pajisjet e nevojshme për të trajnuar dhe mësuar mbi drejtimin e mjetit, si dhe simulimin e situatave të ndryshme.

124 testime realizohen çdo ditë në këtë poligon, ndërkohë që janë mbi 130 mijë testime në harkun kohor të një viti.

Në këtë hapësirë, që ndodhet në zonën e Fushë Prezës në Tiranë, testohen kandidatët e rreth 111 autoshkollave, të regjistruara në DRSHTRR Tiranë. (Elona)