Kabineti qeveritar i Maqedonisë së Veriut njoftoi dorëheqjen, i hap rrugë qeverisë teknike
2024-01-25 15:35:50

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski (Foto RTSH)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski (Foto RTSH)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njoftoi dorëheqjen e kabinetit të tij më 25 janar, për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike.

Dorëheqjen do ta paraqesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili pritet të emërohet kryeministër i qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, deri në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj, bën të ditur “RTSH”.

“E gjithë qeveria dorëhiqet të enjten. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën (28 janar) të votohet qeveria teknike”,- ka deklaruar Kovaçevski.

Para votimit të qeverisë së re, Kuvendi duhet të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).

Qeveria teknike, bazuar në ligjin për zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. (Elona)