Aplikimet e shqiptarëve për azil rriten për të tretin muaj radhazi
2024-01-24 15:10:19

Refugjatë (Foto RTSH)

Refugjatë (Foto RTSH)

Pas një ngadalësimi në verë, kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil kanë shënuar sërish rritje në muajt e fundit të vitit 2023. Sipas të dhënave të Eurostat-it, cituar nga “RTSH”, në tetor dhe nëntor u shënuan mbi 870 aplikime në një nga vendet e Bashkimit Europian, nga më pak se 700 që ishte numri i tyre gjatë muajve të verës, duke arritur nivelin më të lartë që nga marsi 2013.

Gjithnjë sipas Eurostat-it, për periudhën janar-nëntor 2023 kishte gjithsej 8,575 aplikime për azil për 11 mujorin nga shtetas shqiptarë në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, aplikimet kanë rënë me 29%.

Por, ndryshe nga vitet e kaluar, kur numri më i madh i aplikimeve ishte në verë dhe më pas vinte në ulje, në 2023-shin tendenca ka qenë e kundërt. Aplikimet kanë shënuar rritje në shtator, tetor e nëntor.

Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për azilantët shqiptarë, duke shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me muajt e verës. E njëjta tendencë u shënua edhe për Gjermaninë, ku pas një rënieje në verë u konstatua rritje në tetor e nëntor.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, për gjithë 11 mujorin, Franca priti 43% të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania, me 27% dhe Italia me 18.5%. (Elona)