MEPJ: 17 mijë shërbime konsullore më shumë në 2023-shin, krahasuar me një vit më parë
2024-01-24 11:28:00

Në vitin 2023 shërbimet konsullore kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm në lehtësimin e shumë procedurave, përfshirë edhe marrëveshjet për liberalizimin e vizave me disa shtete.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se janë finalizuar marrëveshjet për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të kenë mundësinë të lëvizin pa viza drejt Kinës, Kazakistanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Po ashtu, bëri të ditur MEPJ, numri i shërbimeve konsullore për vitin 2023 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2022 dhe dokumentacioni që kërkohet është shkurtuar, citon “ATSH”.

Gjatë vitit 2023 u kryen rreth 17 mijë shërbime më shumë se në 2022-shin.

Për këtë vit, MEPJ do të vazhdojë punën e saj për zgjerimin e hartës së vendeve ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lehtësisht pa viza si dhe digjitalizimin e plotë të shërbimeve konsullore për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Po ashtu, synohet forcimi i pasaportës shqiptare dhe liberalizimi i vizave me mbi 20 vende të listës pozitive të BE-së. (Elona)