NATO nënshkruan kontratë prej 1.2 miliardë dollarësh për prodhimin e predhave
2024-01-24 11:34:34

Flamuri i NATO-s (Foto ATSH)

Flamuri i NATO-s (Foto ATSH)

NATO-ja ka nënshkruar një kontratë prej 1.2 miliardë dollarësh për prodhimin e predhave të artilerisë me diametër 155 mm, një pjesë e të cilave do t’i dërgohet Ukrainës, pasi kjo e fundit është shprehur se mungesa e municioneve po e pengonte në konfiktin me Rusinë, bën të ditur “RTSH”.

Konflikti në Ukrainë është kthyer në një betejë municionesh, u shpreh sekretari i përgjithshëm i aleancës pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e NATO-s në Bruksel.

Marrëveshja u arrit në emër të disa aleatëve, të cilët ose do t’ia dërgojnë predhat Ukrainës ose do t’i përdorin ato për të mbushur stokun e tyre të municioneve.

Sipas kontratës, do të blihen rreth 220 mijë municione të tilla dhe të parat do të dorëzohen në fund të 2025-s. Ato do të sigurohen nga prodhuesi francez i armëve “Nexter” dhe ai gjerman “Junghans”. (Elona)