Reformim i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Manastirliu: Hap përpara drejt cilësisë në arsim
2024-01-24 16:26:27

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, në bashkëpunim me Qendrën e Vlerësimit të Universitetit të Cambridge-it dhe “British Council”, nënshkruan marrëveshjen për reformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe bashkëdrejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF).

Marrëveshja do të fillojë të zbatohet menjëherë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet arsimore nga kjo qendër shkruan “ATSH”.

“Nëpërmjet këtij partneriteti të ri, transformojmë Qendrën e Shërbimeve Arsimore në një agjenci autonome, e cila jo vetëm të mundësojë një vlerësim transparent dhe meritokratik të bazuar mbi standarde dhe metodologji të unifikuara me vlerësimet ndërkombëtare, duke i sjellë këto në kontekstin lokal, por edhe duke bërë të mundur që nga këto vlerësime, qofshin kombëtare, qofshin ndërkombëtare, ne të kemi bazën e të dhënave nga të cilat të nisemi për të përmirësuar cilësinë në arsim në të gjithë shkollat shqiptare”,- tha ministrja Manastirliu.

Procesi i transformimit të QSHA-së do të ndahet në tri faza, që përfshijnë rritjen e kapaciteteve dhe aftësive, zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe nënligjor dhe monitorimin e qëndrueshmërisë organizative dhe financiare të QSHA-së në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe institucione prestigjioze si Qendra e Vlerësimeve të Kembrixhit (Cambridge Assessment Center) dhe Këshilli Britanik (British Council), eksperienca dhe praktikat e të cilëve do të jenë thelbësore për reformimin e QSHA-së.

Qendra e Shërbimeve Arsimore ofron shërbime nga organizimi i provimeve kombëtare, regjistrimi i maturantëve dhe studentëve, administrimi i provime shtetërore, duke përfshirë mjekësinë dhe mësuesinë deri te procedurat e legalizimit të dokumenteve shkollore, përfshirë dhe njësimin e diplomave të arsimit të lartë. (Elona)