Shefi i OBSH-së: I shqetësuar për marrëveshjen për pandeminë
2024-01-24 16:47:22

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus (Foto ATSH)

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është i shqetësuar se një marrëveshje e planifikuar për pandeminë mund mos të ndodhë.

E krijuar për të mbrojtur botën nga kaosi në fillim të pandemisë së koronavirusit, marrëveshja pritet të miratohet në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë në fund të majit, bën të ditur “ATSH”.

“Duhet të them se jam shumë i shqetësuar që shtetet anëtare mund mos ta përmbushin atë angazhim. Koha është shumë e shkurtër dhe ka disa çështje të pazgjidhura që mbeten për t’u parë”,- tha shefi i OBSH-së në Gjenevë, në një takim të Bordit Ekzekutiv.

“Do të duhet guxim dhe do të duhet kompromis. Nuk do të arrihet një konsensus nëse të gjithë qëndrojnë të ngulitur në pozicionet e tyre. Të gjithë do të duhet të japin diçka ose askush nuk do të marrë asgjë”,- shtoi ai.

Marrëveshja e planifikuar është një rishikim i Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, që rregullon trajtimin e sëmundjeve të reja. Vendet e pasura kanë kritikuar faktin se atyre do t’u kërkohet të zbulojnë detaje rreth financimit të kërkimit dhe se kompanive farmaceutike do t’u kërkohet të ofrojnë transparencë çmimesh.

Edhe nëse traktati miratohet, ai do të hyjë në fuqi vetëm nëse një numër i madh vendesh e ratifikojnë dhe do të jetë i vlefshëm vetëm në ato vende. (Elona)