Kroacia do të kthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të rinjtë pas shkollës
2024-01-24 16:59:33

Foto RTSH

Në Kroaci mund të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak për shkak se bota është më e pasigurt prej dy vitesh.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, deklaroi se vendi po mendon të fusë konceptin e stërvitjes ushtarake me kohë të shkurtuar, përveç trajnimit të të rinjve për ndryshimet klimatike, katastrofat natyrore dhe luftërat, citon “RTSH”.

“Kjo është temë shumë serioze dhe kërkon konsensus operacional, financiar, infrastrukturor dhe politik. Gjithkush ka një ide të vetën se si duhet të jetë shërbimi ose stërvitja ushtarake dhe ato do t’ia komunikojmë publikut”,- tha ministri Anusiç.

Edhe ministri kroat për Veteranët, Tomo Medved, ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e shërbimit të detyrueshëm për segmente të caktuara. Në javët në vijim, tha ai, do t’i drejtohet publikut kroat me propozime, duke marrë parasysh integritetin dhe rreziqet që përball Kroacia.

Aktualisht, Kroacia përdor shërbimin ushtarak vullnetar, por numri i të rinjve që regjistrohen vazhdon të bjerë çdo vit, duke u përgjysmuar në më pak se 400 rekrutë në vit.

Vendi bën pjesë edhe në aleancën e NATO-s dhe po mendon për sfidat e sigurisë që vijnë nga konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. (Elona)