Ministrja Koçiu: Shërbime cilësore në spitalin e Sarandës
2024-01-24 14:21:11

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu (Foto RTSH)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ishte në spitalin e Sarandës, ku investimet në kirurgji, maternitet dhe pediatri kanë mundësuar kushte bashkëkohore për stafin si dhe cilësi shërbimi pranë vendbanimit për qytetarët.

Ministrja Koçiu theksoi se ky spital u shërben rreth 120 mijë banorëve, por edhe mijëra turistëve të cilët e zgjedhin Sarandën si destinacionin e pushimeve të tyre, citon “RTSH”. Ministrja Koçiu kujtoi se vijon vaksinimi anti grip dhe u bëri thirrje grupeve të cenueshme që të vaksinohen. Po ashtu, ajo theksoi se në Sarandë vijon puna për rikonstruksionin e Poliklinikës së Specialiteteve, e cila shumë shpejt do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe zonave përreth.

Në spitalin e Sarandës, shërbimi i urgjencës kryen rreth 22 mijë konsulta vjetore ndërsa gjatë sezonit të verës numri i konsultave shkon 100-120 në ditë. Ndërsa shërbimi i kirurgjisë ka kryer rreth 226 ndërhyrje kirurgjikale gjatë vitit 2023. (Elona)