Akullnajat zvicerane rrezikojnë të përgjysmohen deri në vitin 2050
2024-01-24 16:49:29

Foto Atsh

Nëse ngrohja globale vazhdon me një ritëm të ngjashëm me atë të vërejtur në 20 vitet e fundit, akullnajat e Alpeve zviceriane janë të destinuara të përgjysmohen deri në vitin 2050, duke humbur rreth 46% të vëllimit të tyre, një përqindje që mund të rritet në 65 nëse merret parasysh trendi i 10 viteve të fundit, shkruan “ATSH”.

Parashikimi vjen nga studimi i publikuar në revistën “Geophysical Research Letters” dhe i udhëhequr nga Universiteti Zviceran i Lozanës, i cili zhvilloi simulime shumë të sakta falë algoritmeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale.

Në të njëjtën kohë, tërheqja e akullnajave do të lërë të ekspozuara zona gjithnjë e më të mëdha të faqeve shkëmbore, një fenomen që do të rrisë rrezikun e rrëshqitjeve të tokës në afat të shkurtër, megjithëse shkalla e erozionit të maleve alpine është shumë më e ulët se 10.000 vjet më parë.

Sipas studimit, edhe nëse ngrohja globale do të ndalonte plotësisht tani, Alpet do të humbasin të paktën një të tretën e akullnajave të tyre (34%) deri në vitin 2050.

Të dhënat e përdorura për të ndërtuar skenarët janë deri në vitin 2022, i cili u pasua nga një vit jashtëzakonisht i nxehtë, prandaj ka të ngjarë që situata të jetë shumë më e rëndë. (Elona)