Irani akuzon Izraelin për vrasjen e katër anëtarëve të Gardës Revolucionare në Siri
2024-01-22 11:57:22

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një sulm në një kompleks banimi në Damask të Sirisë të shtunën shkaktoi vdekjen e katër anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, njoftoi Irani, duke fajësuar Izraelin për sulmin, shkruajnë mediet iraniane, përcjell “RTSH”.

“Shefi i zbulimit i Gardës Revolucionare për Sirinë, zëvendësi i tij dhe dy anëtarë të tjerë të Gardës ranë martirë në sulmin ndaj Sirisë nga Izraeli”, bëri të ditur agjencia iraniane e lajmeve “Mehr”, duke cituar një burim në dijeni të zhvillimeve.

Televizioni shtetëror sirian njoftoi se ndërtesa, e cila u shkatërrua gjatë sulmit, ishte në një lagje të kryeqytetit sirian ku ndodhen disa ambasada.

Izraeli nuk ka komentuar për ngjarjen.

Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi objektiva në të gjithë Gazën të shtunën. Izraeli njoftoi se po vinte në shënjestër militantët në Gazën veriore, të cilët po përpiqeshin të vendosnin eksplozivë dhe të godisnin me raketa tanket izraelite.