Presidenti rus i gatshëm për të vizituar Korenë e Veriut
2024-01-22 14:23:53

Putin - Kim Jong un (Foto Atsh)

Putin - Kim Jong un

Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për të vizituar Korenë e Veriut së shpejti, njoftoi të dielën media shtetërore, bën të ditur “ATSH”.

Presidenti Putin falënderoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për ftesën për të vizituar Phenianin, duke shprehur gatishmërinë e tij për të vizituar vendin në një datë të hershme, bëri të ditur agjencia e lajmeve “KCNA”, duke theksuar se qeveria e Koresë së Veriut është e gatshme të përshëndesë mikun më të ngushtë të popullit korean.

Koreja e Veriut besohet se ka furnizuar Rusinë me municione, duke përfshirë raketa balistike, për konfliktin kundër Ukrainës.

Dyshohet se Rusia, një fuqi e madhe ushtarake, mund të ofrojë asistencë teknike për programet e armëve të Koresë së Veriut.

Më herët gjatë javës Rusia rikonfirmoi bashkëpunimin e saj të ngushtë me Korenë e Veriut gjatë një vizite treditore të ministrit të Jashtëm, Choe Son Hui, në Moskë. (Fatosi)