“Russia Today” synon transmetimet e programeve të saj në gjuhën serbe në Bosnjë-Hercegovinë
2024-01-22 11:39:26

Tv (Foto Panorama)

Tv (Foto Panorama)

Televizioni “Russia Today” ka paralajmëruar fillimin e transmetimeve të programeve në gjuhën serbe në Bosnjë-Hercegovinë, pavarësisht faktit se është nën sanksione perëndimore, njofton “Panorama”.

Fillimi i mundshëm i transmetimeve mund të dëmtojë marrëdhëniet e Bosnjës me partnerët ndërkombëtarë, deklaroi ish-ambasadori i Bosnjës në Rusi, Enver Haliloviç.

“Transmetimi i programeve të këtij televizioni vetëm sa do të ndërlikojë situatën politike në Bosnjë-Hercegovinë. Nga ana tjetër, ky është tregues i marrëdhenieve ndërmjet Republikës Serbe dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës”,- tha ish-ambasadori Haliloviç.

“Russia Today”, themeluar në vitin 2005 nga qeveria ruse, është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2022 për shkak të shpërndarjes së propagandës së Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë bëri të ditur se vendi ka harmonizuar dukshëm politikën e jashtme më atë të bllokut, por masat kufizuese janë ende temë e diskutueshme politike, që ka ngritur pengesa për zbatimin e tyre, përfshirë edhe transmetimet e medieve shtetërore ruse.

“Presim që Bosnja të bëjë më shumë për të pamundësuar përzierjen e jashtme dhe keqpërdorimin e informacioneve. Lejimi i transmetimit të propagandës në territorin e saj është në kundërshtim me këto përpjekje”,- bëri të ditur delegacioni i BE-së në Bosnjë-Hercegovinë. (Fatosi)