Familjarë të pengjeve izraelitë protestë para shtëpisë së Netanyahut, kërkojnë lirimin e tyre
2024-01-22 14:19:44

Protesta ne Izrael (Foto Panorama)

Protesta ne Izrael (Foto Panorama)

Të afërmit e pengjeve izraelite që mbahen nga militantët e Hamasit në Gazë protestuan para shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar nga qeveria e tij të ndërmarrë hapa vendimtarë për të siguruar lirimin e tyre, ndërkohë që thellohen ndasitë mbi drejtimin e luftës brenda kabinetit izraelit, njofton “Panorama”.

Anëtarët e një grupi që përfaqëson familjet e pengjeve thanë se ishin lutur për 105 ditë dhe tani kërkojnë nga qeveria të ndërmarrë hapa të guximshëm për të liruar pengjet.

Ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, anëtar i Kabinetit të Luftës së Izraelit, ka thënë se armëpushimi është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e tyre, një koment që nënkupton kritika ndaj strategjisë aktuale të Izraelit për të mos hequr dorë nga lufta kundër militantëve të Hamasit derisa ajo organizatë të shkatërrohet.

Protesta para shtëpisë së kryeministrit dhe komenti i Eisenkot janë shenja të mosmarrëveshjeve në rritje në Izrael mbi drejtimin e luftës, që është në muajin e katërt.

Udhëheqja e Izraelit përballet me presione nga disa drejtime. Nga njëra anë, Netanyahu përballet me anëtarët e krahut të djathtë të koalicionit të tij qeverisës që duan intensifikimin e luftën kundër Hamasit. Nga ana tjetër, ai po has thirrje për përmbajtje nga aleati i vet, SHBA-ja, dhe familjet e pengjeve, të cilët kanë frikë se përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak rrezikon më tej jetën e pengjeve.

Udhëheqësi izraelit ka thënë se synon fitoren e plotë ndaj Hamasit, por nuk ka thënë se si do ta arrijë atë. Kritikët e kanë akuzuar atë se nuk po lejon hapjen e një debati në nivel kabineti për një skenar të pasluftës për Gazën. Ata thonë se Netanyahu po e zvarrit një gjë të tillë për të parandaluar përplasje brenda koalicionit të tij. (Fatosi)