Së shpejti pritet të nisë rikonstruksioni i spitalit të Gjirokastrës
2024-01-22 13:28:13

Foto nga RTSH

Foto nga ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se puna për rikonstruksionin e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, një tjetër investim i ri në infrastrukturën spitalore me mbështetjen e buxhetit të shtetit, pritet të nisë së shpejti, njofton “ATSH”.

Rikonstruksioni i godinës së këtij spitali do të mundësojë transformimin e ambienteve për mjekët dhe infermierët si dhe do të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për rreth 57.000 qytetarë të Gjirokastrës.

Në këtë spital, i cili u shërben edhe banorëve të 7 bashkive të këtij qarku, falë investimeve të vazhdueshme të qeverisë dhe MSHMS-së për pajisjen me aparatura biomjekësore bashkëkohore, po ofrohen shërbime të reja shëndetësore.

Buxheti i vitit 2024 vijon të financojë programin për modernizimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor në ato spitalor, me synim rritjen e cilësisë së ofrimit shëndetësor për qytetarët afër vendbanimit.