Energjia e rinovueshme, “Europa Today”: Shqipëria ka përmbushur direktivat e BE-së
2024-01-21 11:44:36

Ecuria e Shqipërisë në sektorin energjetik, duke u bazuar plotësisht në burimet e rinovueshme të energjisë elektrike, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. “Europa Today”, e krahason Shqipërinë me Suedinë, shkruan “RTSH”  Ajo thekson faktin se vendi ballkanik është tashmë pothuajse në përputhje me objektivin e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Shqipëria nuk është ende një vend i Bashkimit Europian, por mund të mburret se është tashmë në përputhje me objektivin e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030. Dhe për të cilin shumica e shteteve anëtare aktuale janë duke luftuar, përfshirë Italinë. Nëse BE parashikon një pjesë të energjisë së konsumuar nga burimet e rinovueshme prej 42.5% deri në fund të dekadës, Tirana sot ështënë nivelin  44%. Një përqindje që e afron me kampionët skandinavë, shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe më shumë se dyfishi i Italisë”, - shkruan  prestigjiozia italiane.

Shkrimi u referohet të dhënave të Eurostat-it për vitin 2022, sipas të  cilave Shqipëria renditet pas tre vendeve skandinave sa i takon prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. 17 nga 27 vendet anëtare të BE-së raportuan përqindje më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shqipëria e ka të bazuar të gjithë prodhimin e saj të energjisë nga burimet e rinovueshme, por koeficienti 44%, të cilit i referohet media italiane, sipas Besjan Kadiut, drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Energjisë në MIE, është pjesa që ky prodhim i energjisë elektrike zë në konsumin total të energjisë në Shqipëri.

Në fillim të kësaj jave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi hapjen e ankandit hibrid për fotovoltaikët, një tjetër hap sa i takon rritjes së prodhimit duke u bazuar tek energjia e rinovueshme. (Irma)