Komisioni Parlamentar i Ligjeve shkrin Agjencinë Kombëtare të Diasporës
2024-01-21 11:22:18

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen online të kësaj jave mori në shqyrtim një projektligj dhe 6 projektvendime që lidhen me strukturat e institucioneve të pavarura të krijuara me ligj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mbledhja mori në shqyrtim projektligjin për shfuqizimin e ligjit “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, i cili u prezantua nga Artemis Dralo, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputeti Eduard Ndreca.

Në prezantimin e saj, Malo paraqiti argumentet për nevojën e shfuqizimit të ligjit tani që diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme, duke shërbyer jo vetëm si urë lidhëse mes vendit të origjinës dhe vendit pritës, por dhe për zhvillimin ekonomik dhe social, citon “RTSH”.

Ndër të tjera, Malo sqaroi se krijimi i Agjencisë së Diasporës lindi si nevojë në kushtet kur ministri përgjegjës për diasporën ishte ministër pa portofol dhe më tej renditi arsyet për nevojën e suprimimit të kësaj agjencie pas kalimit të diasporës në fushën e përgjegjësisë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Zëvendësministrja sqaroi se centralizimi i çështjeve të diasporës në aparatin e MEPJ-së do të krijojë lehtësi në qasjen koherente të politikave të angazhimit ndaj diasporës dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.

Nisur nga modelet e vendeve ku politikat për diasporën janë kompetencë e ministrive të jashtme, u theksua se zhvillimi dhe konsolidimi institucional me diasporën është një nga funksionet dhe shtyllat kryesore të shërbimit të jashtëm për realizimin dhe ndjekjen e të cilit do të jetë përgjegjës një departament pranë MEPJ-së, si dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë.

Deputeti Eduard Ndreca, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e projektligjit për të forcuar komunikimin me diasporën vetëm nëpërmjet një kanali komunikimi dhe theksoi se nisma është bazuar në modelet më të mira europiane dhe është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. (Irma)