Guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.5% në vitin 2023
2024-01-20 12:08:18

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se në vend është arritur reduktimi i inflacionit nga piku prej 8.3% në nëntor 2023, në nivelin prej 4% në dhjetor 2023. Sipas tij, në të njëjtën kohë është siguruar dhe ruajtja e një rritjeje ekonomike solide prej rreth 3.5% për vitin 2023.

Ndërsa mori pjesë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), një aktivitet i “Euromoney” që mbledh figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike, ai tha se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023, duke e rritur normën bazë të interesit deri në nivelin 3.25%, shkruan “ATSH”.

Guvernatori Sejko tha: “Aktualisht jetojmë në një botë me përparim të shpejtë teknologjik dhe industria financiare nuk është e përjashtuar prej tij. Përdorimi i të dhënave, inteligjencës artificiale, monedhave digjitale dhe inovacioni i sistemeve të pagesave kanë sfiduar praktikat dhe politikat ekzistuese të bankave qendrore. Ashtu si çdo zhvillim teknologjik, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimeve të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatshme në momentin që instrumente të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg. Në këtë mënyrë do të jemi të përgatitur mirë për të përballuar sfidat që vijnë nga inovacioni financiar në të ardhmen”.

Në takim u shkëmbyen mendime mbi disa çështje kryesore të aktualitetit ekonomik, të tilla si: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e inflacionit dhe reagimi i bankave qendrore ndaj tij; rifitimi i besueshmërisë së institucioneve dhe mjetet e reja të komunikimit; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen lidhur me zhvillimet teknologjike dhe ndërlidhja e tyre me politikën monetare. (Irma)