BE-ja, e shqetësuar për sulmet Pakistan-Iran
2024-01-20 11:38:47

Fjamujt e Iranit dhe Pakistanit (Foto Rtsh)

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës mes Pakistanit dhe Iranit.

“Sulmet më Lindjen e Mesme e më gjerë, duke përfshirë atë në Pakistan, Irak dhe Iran, janë kthyer në një shqetësim të madh për Bashkimin Evropian, sepse shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të atyre vendeve, por gjithashtu kanë një efekt destabilizues në rajon”,- deklaroi zëdhënësi i BE-së Peter Stano, përcjell “RTSH”.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Irani dhe Pakistani nuk duan të përshkallëzojnë tensionet mes tyre, pas një komunikimi që pati me homologët e të dy vendeve.

“Unë fola me ministrat e Jashtëm të të dy vendeve. Ata më shpjeguan arsyetimet e veprimeve të tyre”,- tha Fidan në një konferencë për shtyp në Jordani, duke theksuar se të dyja palët e kishin siguruar se e kishin situatën nën kontroll.

Pakistani ndërmori të enjten sulme raketore ndaj fqinjit të tij Iranit, pasi ky i fundit sulmoi krahinën pakistaneze të Baluçistanit dy ditë më parë. (Irma)