UNHCR: Viti 2023 pati rritje të viktimave mes emigrantëve në Mesdheun Lindor
2024-01-20 12:06:38

Foto Atsh

Numri i emigrantëve të vdekur ose të zhdukur në Mesdheun lindor u dyfishua midis viteve 2022 dhe 2023, pasi vjet kishte 710 të mbytur ose të zhdukur në det, njoftoi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR), shkruan “ATSH”.

Në vitin 2022 kishte 343 të vdekur ose të zhdukur. Numri i emigrantëve që mbërritën në rajon nga deti u trefishua, nga 12.758 në 2022-shin në 41.584 vitin e kaluar.

Qiproja dhe Greqia janë dy vende të BE-së me vija bregdetare në Mesdheun lindor, por emigrantët nga Lindja e Mesme ose Afrika e Veriut, përpiqen të shkojnë direkt në Itali.

Në dy javët e para të vitit 2024, mesatarisht rreth 100 persona kaluan tranzit në mënyrë të parregullt nga Turqia në Greqi çdo ditë, raportoi UNCHR-ja.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare greke besojnë se numri i rasteve të paraportuara është shumë më i lartë. (Irma)