Kina, partneri i dytë i Shqipërisë në import
2024-01-20 11:58:15

Import-eksport (Foto Panorama)

Italia mbetet partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, si për importet ashtu dhe për eksportet, ndonëse tregtia me këtë vend shënoi rënie në 2023-shin.

Instituti i Statistikave bëri të ditur se vitin e kaluar eksportet drejt Italisë arritën në 189 miliardë lekë, me një tkurrje prej 10% krahasuar me 2022-shin, shkruan “Panorama”.

Italia mbetet partneri kryesor i tregtisë i Shqipërisë edhe për importet. Nga ky shtet u blenë mallra me vlerë 194 miliardë lekë, me rënie prej rreth 6% në raport me vitin e mëparshëm.

Kina është ngjitur vendin e dytë për sa i përket importeve. Nga ky shtet janë blerë 93 miliardë lekë mallra, ose 10.7% e totalit. Importet nga Kina u rritën ndjeshëm me 21% me bazë vjetore. Produktet kryesore janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (48.5%), të cilat kanë shënuar dhe rritjen më të madhe, Tekstile dhe këpucë (15.1%), Materiale ndërtimi dhe metale (14.3%).

Në vendin e dytë për eksportet renditet Kosova, me 40 miliardë lekë në vitin 2023, ose 9% e totalit. Partneri i tretë për eksportet është Greqia me vlerë malli të shitura që arritën në 28.6 miliardë lekë, ose 7% të totalit.

Turqia ka zbritur në vend të tretë për importet, pasi ranë me 26% në 84 miliardë lekë. Nga ky shtet erdhën 9.7% e totalit të blerjeve nga jashtë.

Listën e importuesve e pason Gjermania (7% e totalit) dhe Greqia (6.5%).

Një shtet nga i cili u shënua një rritje e lartë e importeve në vitin 2023, duke u renditur e gjashta, ishte India, që pa një katërfishim të importeve në 32 miliardë lekë. Kjo tendencë u ndikua nga kanalizimi i importeve të naftës nga ky shtet, teksa ai ka një ndër rafineritë më të mëdha të përpunimit të naftës në botë. (Irma)