Kryeministri izraelit kundër ndërmarrjes së hapave drejt krijimit të një shteti palestinez pas luftës
2024-01-20 12:25:05

Foto Panorama

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zvogëluar ofensivën ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa u shpreh kundër ndërmarrjes së hapave drejt krijimit të një shteti palestinez pas luftës, deklaratë që shkaktoi reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, shkruan “Panorama”.

“Padyshim e shohim ndryshe situatën”,- tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Komenti i kryeministrit Netanyahu vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk do të kishte kurrë siguri të vërtetë pa një rrugë për pavarësinë e palestinezëve.

Në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se ishte momenti i duhur që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës ushtarake shkatërruese në Gazë.

Në një konferencë shtypi, kryeministri Netanyahu foli me një ton sfidues, duke thënë vazhdimisht se Izraeli nuk do ta ndalojë ofensivën derisa të realizojë qëllimet e tij për ta shkatërruar grupin militant Hamas në Gazë dhe për të sjellë në shtëpi të gjitha pengjet e mbetura të mbajtura nga grupi terrorist.

Ai hodhi poshtë pretendimet në rritje të kritikëve izraelitë se këto synime nuk janë të arritshme, duke u zotuar se do ta vazhdojë betejën për shumë muaj.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Autoriteti Palestinez, i njohur ndërkombëtarisht i cili qeveris zonat gjysmautonome në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në Gaza.

Hamasi e mundi Autoriteti Palestinez në Gaza në vitin 2007 dhe ka qeverisur territorin që nga ajo kohë.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje gjithashtu për hapa drejt krijimit të një shteti palestinez. Palestinezët kërkojnë Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor për të formuar shtetin e tyre. Këto zona u pushtuan nga Izraeli në vitin 1967. (Irma)