Ministrja Balluku: Shqipëria ndër të parat në Europë për energjinë e rinovueshme
2024-01-20 12:20:05

Energjia e rinovueshme-Balluku (Foto Atsh)

Raporti i Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian (Eurostat) e rendit të tretën Shqipërinë, pas Suedisë dhe Finlandës, për konsumin e energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme. Në raport evidentohet se konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në masën 44%.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi këtë një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria në podium në Europë për energjinë e rinovueshme. Kemi kaluar objektivat europiane, duke u renditur kështu ndër vendet e para. Një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim”,- deklaroi ministrja Balluku në një postim në rrjetet sociale.

Indikatori i referohet raportit të konsumit të energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme, kundrejt konsumit total të energjisë (energjia elektrike, karburantet, etj). (Irma)