Kreu i SYRIZA-s takon komunitetin shqiptar në Greqi, propozon gjuhën shqipe lëndë me zgjedhje në shkolla
2024-01-19 10:05:33

 Foto nga Panorama

Kryetari i SYRIZA-Aleancës Progresive, Stefanos Kasselakis, zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi, ku propozoi që shqipja të bëhet lëndë me zgjedhje në shkollat greke, ashtu sikurse dhe greqishtja të mund të bëhet gjuhë e dytë në territorin e Shqipërisë, shkruan “Panorama”.

Kasselakis tha se emigracioni është një çështje që SYRIZA nuk e ka përdorur kurrë si mjet, në raport me partitë e tjera.

“Në Greqi nuk është shqipja si gjuhë me zgjedhje, ashtu sikurse dhe në të gjithë territorin e Shqipërisë duhej të ishte greqishtja”,- tha ai.

“Jemi krenarë për punën që kemi bërë si qeveri, që të jemi në gjendje të lehtësojmë komunitetin dhe të tregojmë se të gjithë mund t’i ofrojmë me meritë vendit tonë”,- theksoi Kasselakis.

Megjithatë, siç tha kreu i SYRIZA, problematikat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Greqi janë të mëdha, si rrjedhojë e kësaj vitet e fundit është shtuar pasiguria që jetojnë çdo ditë anëtarët e tij.

Edmond Guri, përfaqësues i Diasporës Shqiptare në Greqi, e cilësoi takim historik atë të zhvilluar mes komunitetit shqiptar në këtë vend dhe kryetarit të SYRIZA-Aleancës Progresive dhe deputetëve të partisë. (Irma)