Ministri Hasani në Malin e Zi: Ura mbi lumin Buna do t’i shërbejë integrimit rajonal
2024-01-19 15:37:27

Foto nga ATSH

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ndërsa zhvilloi një vizitë zyrtare në Podgoricë, deklaroi se ndërtimi i urës mbi lumin Buna është një projekt që do të nxisë perspektivën e zhvillimit në Shqipëri dhe Malin e Zi si dhe do t’i shërbejë integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave, shkruan “ATSH”.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e malazez, Filip Ivanoviç, ministri Hasani tha: “Në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar vlerësoj angazhimin e dy qeverive tona për aplikime të përbashkëta për fondet e BE-së për përmirësimin e ndërlidhjes, akseve të ndryshme rrugore, bashkëpunimit shkencor, kulturor, arsimor si dhe në shumë fusha të tjera”.

Sipas ministrit Hasani, të dyja vendet mbeten të angazhuara për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane, e cila duhet të mbetet një nga prioritetet strategjike, sepse lidh Europën Qendrore me bregdetin Adriatiko-Jonian duke sjellë dhe një transformim të perspektivës ekonomike të mbarë rajonit. (Irma)