Ambasadorët e BE-së: Mbështetje ndaj SPAK në luftën kundër korrupsionit
2024-01-19 10:32:52

Foto nga RTSH

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian zhvilluan një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Ata shprehën mbështetje të fortë ndaj SPAK-ut.

Sipas një njoftimi për shtyp të Ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri, Dumani prezantoi punën e institucionit që drejton, në “Shtëpinë e Europës”, shkruan “RTSH”.

“SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e përgëzojmë Altin Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim më tej punën e tij”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Takimi i ambasadorëve të BE-së me kreun e SPAK-ut vjen në momentin kur ky institucion ka nën hetim figura të larta të politikës dhe të qeverisë dhe figura të njohura të rretheve familjare të politikanëve dhe ish-drejtuesve të lartë të shtetit.

Prokurorë të SPAK-ut, si dhe drejtuesi i këtij institucioni, Altin Dumani, prej disa muajsh janë vënë në qendër të sulmeve nga politikanë të lartë, të cilët akuzohen për korrupsion. (Irma)