Viti 2023, rriten import-eksportet e Shqipërisë me Kinën
2024-01-19 15:48:18

Foto nga VCG

Gjatë vitit të kaluar, si eksportet, ashtu edhe importet e Shqipërisë kanë pasur ulje në krahasim me vitin 2022, tregojnë të dhënat e publikuara të mërkurën nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT).

Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2023, eksportet e mallrave shqiptare kapën vlerën 440 miliardë lekë, duke u ulur me 9.5 % krahasuar me vitin pararendës, ndërsa importet e mallrave arritën në 873 miliardë lekë, me një rënie 8.2 %.

E megjithatë, tregtia e jashtme e Shqipërisë me Kinën vazhdoi të njohë gjallëri dhe Kina mbeti një ndër partneret kryesore të Shqipërisë, me një rritje si të eksporteve, ashtu edhe të importeve. Kështu, gjatë vitit të kaluar Shqipëri eksportoi 2.7 për qind më shumë mallra në Kinë se në vitin 2022, ndërkohë që importoi nga vendi i largët aziatik 21 % më shumë.

Vitin e kaluar Kina mbeti partnerja e dytë më e madhe tregtare e Shqipërisë. Shkëmbimet tregtare me Kinën zunë 8.5 % të të gjithë vëllimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, duke u renditur vetëm pas Italisë (29.2 %) dhe përpara partnereve tregtare tradicionale të Shqipërisë si Turqia e Greqia (përkatësisht 6.8 e 6.5 %).  (Artan Goga)