Kryediplomati shqiptar në Shkup: Korridori VIII do të transformojë pozitën strategjike të dy vendeve
2024-01-18 10:38:25

Foto nga ATSH

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, beson se Korridori VIII do të transformojë pozitën strategjike të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga Shkupi, ku zhvilloi vizitën e parë zyrtare, në një konferencë për shtyp me homologun e tij, Bujar Osmani, ministri Hasani tha se Korridori VIII është një nga projektet më madhore e më transformuese për të cilin janë duke punuar, bashkë me Italinë e Bullgarinë, por edhe me mbështetjen e partnerëve të tjerë, citon “RTSH”.

“Ky korridor do të transformojë pozitën strategjike të vendeve tona, por do të transformojë njëkohësisht edhe ekonomitë tona e perspektivën tonë të zhvillimit. Prandaj duhet të investohemi për të eksploruar mënyrat se si do të bashkëpunojmë për të nxjerrë nga Korridori VIII, por edhe nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfitimet maksimale për vendet tona e për mbarë rajonin”,- u shpeh Hasani.

“Sot më shumë se kurrë vendet dhe shoqëritë tona ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen”, - nënvizoi ai. (Elona)