Kreu i FMN-së: Rritja e PBB-së së Kinës, "lajm i mirë" për botën
2024-01-18 16:40:57

Xinhua

Xinhua

Rritja ekonomike kineze në vitin 2023 është një lajm i mirë për Kinën dhe për botën, theksoi të mërkurën drejtorja menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva.

"Ekonomia kineze e plotësoi objektivin kombëtar, i cili ishte vendosur në rreth 5%, dhe në fakt e tejkaloi atë. Ky është një lajm i mirë për Kinën dhe gjithashtu një lajm i mirë për Azinë dhe botën, sepse Kina kontribuon për një të tretën e rritjes globale,” tha Georgieva për "Xinhua" në Davos gjatë takimit të 54-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror.

Të mërkurën, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës njoftoi se vitin e kaluar produkti i brendshëm bruto kombëtar i vendit u rrit 5.2 për qind në krahasim me vitin 2022 dhe arriti vlerën prej 126.06 trilionë juanësh (rreth 17.71 trilionë dollarë).

Georgieva vuri në dukje se qeveria kineze është përqendruar në rritjen me cilësi të lartë dhe ndryshimin e modelit të rritjes nga një model i orientuar kryesisht nga eksporti në atë ku konsumi luan një rol më të madh.

"Jemi partnerë shumë të mirë me Kinën," tha ajo, duke shtuar se Kina ka potencial të madh për të arritur më shumë produktivitet dhe për të krijuar një forcë punëtore më produktive.

Sipas saj, “reformat, hapja dhe integrimi në ekonominë botërore” është rruga e duhur që Kina duhet të vijojë të ndjekë.

FMN-ja e rriti në nëntor të vitit të kaluar parashikimin e saj për ekonominë kineze për vitin 2023 nga 5.0 në 5.4 për qind dhe për vitin 2024 nga 4.2 në 4.6 për qind, në krahasim me "Perspektivën ekonomike botërore" të publikuar prej saj në tetor.(Xu Guang)