Gjykata e BE-së: Viktimat e dhunës në familje kualifikohen për status refugjati
2024-01-18 10:32:43

Foto nga VCG

Gratë viktima të dhunës në familje, në shtetet e tyre të origjinës, janë të kualifikuara për statusin e refugjatit apo për mbrojtje të ngjashme, ka konfirmuar Gjykata Europiane e Drejtësisë. Vendimi garanton mbrojtje ndërkombëtare për gratë që janë subjekte të dhunës fizike ose mendore në vendlindje, si dhe për ato që përballen me rrezik real të vrasjes, shkruan  “Panorama”.

Vendimi i gjykatës është bërë publik pas pyetjeve të një gjykate bullgare për rastin e një gruaje turke me origjinë kurde. Gruaja myslimane, e cila ka aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Bullgari, ka thënë se është e frikësuar për jetën e saj, nëse kthehet në Turqi.

Ajo ka thënë se është detyruar të martohet nga familja e saj dhe është rrahur e kërcënuar prej burrit të saj, prej të cilit më vonë është divorcuar.

Gratë kualifikohen për status refugjati kur në vendlindje, për shkak të gjinisë, “i ekspozohen dhunës fizike apo mendore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Nëse nuk kualifikohen për status refugjati, gratë mund të përfitojnë prej një tjetër lloji të mbrojtjes, e cila u mundëson azilkërkuesve që të mbeten në vendin ku kanë aplikuar, por nuk mund të udhëtojnë në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Europian. (Elona)