Para publike për të promovuar turizmin, hapet thirrja për destinacione të reja turistike
2024-01-17 18:02:01

Bujtina (Foto RTSH)

Bujtina (Foto RTSH)

Rezultatet e arritura në sektorin e turizmit gjatë vitit 2023 e kanë inkurajuar ministrinë përgjegjëse për turizmin të kërkojë para nga buxheti i shtetit për të promovuar Shqipërinë si një destinacion mikpritës për turistët vendas dhe të huaj.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit shpalli thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare për projekte në fushën e turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, në funksion të realizimit të misionit strategjik, shkruan “RTSH”.

Nën titullin “Shqipëria, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit”, thirrja synon promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike për zhvillimin e turizmit malor, natyror, kulturor, tradicional, kulinar, ekoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj., gjithashtu edhe në mbështetje të veprimtarive të sezonit turistik për vitin 2024.

Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më datën 13 shkurt. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, nga data e nënshkrimit të kontratës deri në 15 nëntor 2024. (Elona)