Të dhënat e Eurostat-it: Shqiptarët, të pakënaqur nga jeta
2024-01-17 17:01:54

Tiranë (Foto Panorama)

Tiranë (Foto Panorama)

Kur pyeten se sa të kënaqur janë nga jeta, shqiptarët e vlerësojnë këtë tregues në 5.7 pikë, nga një shkallë nga 0 (shumë të pakënaqur) në 10 (shumë të kënaqur). Treguesi është matur nga Eurostat dhe i përket vitit 2021, shkruan “Panorama”.

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (BE), kënaqësia e shqiptarëve është më e ulët. Për vitin 2021, shkalla e kënaqësisë nga jeta në BE ishte 7.2 dhe në vitin 2022 zbriti në 7.1.

Shqipëria u rendit e dyta me nivelin më të ulët të kënaqësisë në Europë, në të njëjtin nivel me Bullgarinë dhe vetëm pas Turqisë (5.6).

Nga vendet e tjera të rajonit, që i kanë të disponueshme të dhënat, Mali i Zi e kishte shkallën e kënaqësisë në nivelin 6.4 në 2021-shin, por që zbriti në 5.8 në 2022-shin.

Ndërsa në Serbi, shkalla e kënaqësisë së të jetuarit u rrit në 6.1 në 2022-shin, nga 6 në 2021-shin.Sipas Eurostat-it, kënaqësia nga jeta mund të ndikohet nga shumë faktorë, si mosha, niveli i arsimimit, gjendja familjare dhe financiare, si dhe shumëllojshmëria e përvojave, zgjedhjeve, prioriteteve dhe vlerave të një individi.

Në Shqipëri, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat, niveli i kënaqësisë për jetën është i njëjtë, të dy në 5.7 pikë. (Elona)