BE-ja dhe SHBA-ja, në të njëjtën linjë për Ballkanin Perëndimor
2024-01-17 10:30:55

Foto nga VCG

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor, tha i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në Davos të Zvicrës, Lajçak u takua me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin bisedoi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, bën të ditur “ATSH”.

“Kam nisur javën në Davos me një takim me O’Brien. Ishte i rëndësishëm zhvillimi i kësaj bisede lidhur me Ballkanin në fillim të këtij viti. Ne duam të shohim rajonin duke lëvizur përpara dhe që qytetarët e tij të përfitojnë. Më vjen mirë që rikonfirmuam se ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”, - shkroi Lajçak në platformën “X”.

Në punimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës po marrin pjesë edhe liderë të tjerë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. (Elona)