Censi i popullsisë, INSTAT: Të dhënat do të publikohen në qershor
2024-01-17 17:23:59

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli (Foto RTSH)

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli (Foto RTSH)

Të dhënat e censit të popullsisë dhe banesave do të jenë gati për publikim në muajin qershor të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur Instituti i Statistikave, që informoi mbi vijimin e fazave pas grumbullimit të të dhënave.

Sipas INSTAT-it, të dhënat e grumbulluara do të kalojnë në procese statistikore pastrimi, përpunimi dhe tabelimi, citon “RTSH”.

“Kjo është një praktikë e zakonshme statistikore për të siguruar që informacioni që do të ndahet për publikun të jetë cilësor, i saktë dhe i besueshëm”,- njoftoi INSTAT-i.

Të dhënat që do të publikohen do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, arsimin dhe shëndetësinë.

“Rezultatet e censit do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithashtu, ato do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve të infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”,- shkruan INSTAT. (Elona)