Ministri Peleshi: Baza e Kuçovës, e vetmja bazë taktike për operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkan
2024-01-16 10:28:31

Foto nga ATSH

Baza ajrore taktike e Kuçovës në Shqipëri po shndërrohet në një gjurmë të rëndësishme të prezencës së NATO-s dhe do të jetë në shërbim të stërvitjeve dhe operacioneve të ndryshme të Aleancës, shkruan “ATSH”.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka publikuar në rrjetet sociale foto nga kjo bazë e cila tashmë është në fazën përfundimtare të punimeve dhe së shpejti pritet të inaugurohet.

Sipas ministrit Peleshi, kjo është e vetmja bazë taktike për operacionet kombëtare dhe operacionet me rëndësi strategjike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare do të jenë krah për krah me aleatët e NATO-s për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45.8 milionë eurove. Ai konsiston në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit. (Fatosi)