Xi Jinping-u thekson përshpejtimin e ndërtimit të një sistemi financiar modern me karakteristika kineze
2024-01-16 20:58:10

Mëngjesin e së martës nisi në Pekin seminari i drejtuesve kryesorë në nivel province për nxitjen e zhvillimit financiar me cilësi të lartë. Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm në ceremoninë e hapjes së seminarit, në të cilin theksoi se rruga e zhvillimit financiar me karakteristika kineze jo vetëm përputhet me ligjet objektive të zhvillimit financiar modern, por edhe ka karakteristika dalluese që përputhen me kushtet kombëtare të Kinës, të cilat janë thelbësisht të ndryshme nga modeli financiar i Perëndimit.

foto: VCG

foto: Xinhua

Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje se, pas Kongresit të 18-të të PKK-së, Kina ka nxitur në vazhdimësi risitë e praktikës, teorisë e sistemit financiar dhe ka hapur një rrugë të zhvillimit financiar me karakteristika kineze që i përmbahet udhëheqjes së centralizuar e të unifikuar të Komitetit Qendror të PKK-së për punën financiare dhe orientimit të vlerave me popullin në qendër. Qëllimi themelor i shërbimeve financiare është t’i shërbejnë ekonomisë reale, ndërsa parandalimi dhe kontrolli i rreziqeve shihen si tema e përjetshme e punës financiare. Po ashtu, janë promovuar risitë dhe zhvillimi financiar në rrugën e orientimit nga tregu dhe sundimit të ligjit, është thelluar reforma strukturore në fushën e ofertës financiare, janë bashkërenduar hapja e siguria financiare dhe është ruajtur toni i përgjithshëm i punës për të kërkuar përparimin duke ruajtur qëndrueshmërinë.

Xi theksoi më tej se një vend i fuqishëm financiar duhet të jetë i bazuar mbi një ekonomi të fortë, duhet të ketë fuqi të madhe ekonomike, teknologjike e gjithëpërfshirëse, si dhe një sërë elementesh financiare kryesore, duke përfshirë një monedhë të fortë, një bankë qendrore të fortë, institucione të forta financiare, qendra të forta financiare ndërkombëtare, mbikëqyrje të fortë financiare dhe një ekip të fortë talentesh financiare. Kina do të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi financiar modern me karakteristika kineze, do të krijojë dhe përmirësojë një sistem rregullator financiar të qëndrueshëm, një sistem tregu financiar me strukturë racionale, një sistem institucionesh financiare me bashkërendim, një sistem të plotë dhe efektiv të mbikëqyrjes financiare, një sistem produktesh dhe shërbimesh financiare të larmishme e profesionale dhe një sistem infrastrukture financiare të pavarur, të kontrollueshëm, të sigurt dhe efikas.

foto: VCG

foto: Xinhua

Xi vuri në dukje se duhet të parandalohen dhe ulen rreziqet financiare, sidomos rreziqet sistematike. Gjatë procesit të trajtimit të rreziqeve, duhet të parandalohet me vendosmëri korrupsioni dhe të goditen ashpër krimet financiare.

Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu se duhet të zgjerohet hapja dhe të rritet aftësia dhe efikasiteti i shpërndarjes së burimeve financiare, si edhe të ngrihen konkurrenca ndërkombëtare dhe ndikimi rregullator.

Në fund, Xi u shpreh se drejtuesit e niveleve të ndryshme duhet të zbatojnë me kujdes vendimet e Konferencës Qendrore të Punës Financiare, të bashkërendojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik e financiar me cilësi të lartë dhe të japin kontribute të reja e më të mëdha në promovimin e gjithanshëm të ndërtimit të një vendi të fortë dhe rilindjes kombëtare me anë të modernizimit të stilit kinez. (Li Huailiang/Artan)