Rebelët Houthi lëshojnë raketë ndaj luftanijes amerikane në Detin e Kuq
2024-01-16 11:36:53

Foto nga VCG

Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka eliminuar një raketë që ishte lëshuar ndaj një luftanijeje të saj nga rebelët Houthi të Jemenit, njofton “RTSH”.

Raketa kruz e lëshuar ndaj luftanijes “USS Laboon” në Detin e Kuq u qëllua dhe rrëzua në ujërat pranë Hudajdah nga një avion luftarak amerikan.

Nga incidenti që ndodhi pasditen e së dielës nuk u raportuan dëme materiale.

Ngjarja vjen pasi SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ndërmorën sulme ajrore me synim degradimin e aftësive ushtarake të rebelëve Houthi, të cilët që prej mesit të muajit nëntor kanë sulmuar anijet tregtare që kalonin në Detin e Kuq, sipas tyre në shenjë mbështejeje për Gazën.

Të premten, SHBA-ja dhe Britania e Madhe goditën 30 vendndodhje në Jemen, përfshi edhe një depo armësh, qendra logjistike dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që përdoreshin nga rebelët.

Ndërsa të shtunën këto dy vende ndërmorën një tjetër sulm ajrore ndaj një zone me radarë të Houthëve.

Rebelët Houthi janë një grup politik dhe ushtarak që kontrollojnë një territor të konsiderueshëm në Jemen, përfshi edhe kryeqytetin Sana.

Ata janë aleat kyç të Hamasit dhe mendohet se furnizohen me armë nga armiku i vjetër i Izraelit, Irani. (Fatosi)