OBSH: Shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shpenzimeve për shëndetësinë
2024-01-16 10:27:38

 Foto nga Panorama

Shqiptarët përballen me kosto të larta të shpenzimeve shëndetësore direkt nga xhepi i tyre, por ky lloj shpenzimi duket se është rritur me tej pas pandemisë Covid-19, shkruan “Panorama”.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2021 një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht për shëndetin 465 dollarë.

Kjo shumë në masën 59.7% (277 dollarë) është përballuar nga xhepi dhe pjesa tjetër 39.7 për qind nga shpenzimet e qeverisë nga buxheti i shtetit.

Qeveria i ka rritur kapacitetet buxhetore, por shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë kanë ardhur në rritje përgjatë dekadave të tranzicionit në vend të ulen.

Sipas të dhënave të OBSH-së, në vitin 2005 shqiptarët paguan nga xhepi 49.3% të kostos së shpenzimeve shëndetësore, ndërsa më 2021 ky tregues arriti në 59.7%.

Në krahasim me vendet e tjera të Europës, Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi.

E dyta renditet Maqedonia e Veriut me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8).

Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%). (Fatosi)