Mijëra gjermanë, përfshirë Scholz, protestojnë kundër ekstremit të djathtë
2024-01-16 10:04:51

Foto nga VCG

Mijëra persona, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe ministren e Jashtme Annalena Baerbock, dolën në rrugët e Berlinit për të protestuar kundër ekstremit të djathtë, njofton “ATSH”.

Tubimi vjen disa ditë pasi një raport investigativ bëri të ditur se ekstremistët e krahut të djathtë dhe politikanët nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë ishin takuar për të diskutuar planet për dëbimin e miliona emigrantëve nga Gjermania.

Demonstruesit mbanin postera me slogane të tilla si” “Ne qëndrojmë së bashku” dhe të tjerë që lavdëronin një popullsi shumetnike.

Udhëheqësit e partive lokale nga Partia Social-demokrate (SPD) e Scholz-it, Unioni Kristiandemokrat konservator (CDU), Të Gjelbrit dhe “Die Linke” morën gjithashtu pjesë në tubim.

Protesta erdhi si përgjigje ndaj raportimit nga media “Correctiv”, në fillim të javës, e cila zbuloi detaje të një takimi në Potsdam në nëntor, ku morën pjesë anëtarë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, disa anëtarë të CDU-së dhe anëtarë të grupit konservator “Werteunion”.

Ish-kreu i lëvizjes “Identitarian” të ekstremit të djathtë në Austri, Martin Sellner, konfirmoi se në takim foli për deportimin e emigrantëve.

Kryebashkiaku i Potsdamit tha se këto plane të kujtojnë kapitullin më të errët në historinë gjermane. Prandaj, sipas tij, është koha që gjermanët të tregojnë fytyrat e tyre dhe të mbrojnë demokracinë. (Fatosi)