Gjermani - Protestë kundër idesë së AfD-së për dëbimin masiv të emigrantëve
2024-01-15 10:33:10

Foto nga VCG

Mijëra persona protestuan në Hamburg kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë.

Tubimi u nxit nga një hetim i publikuar më herët nga media investigative “Korrektiv”, e cila raportonte për një takim të fshehtë të ekstremistëve austriakë të krahut të djathtë me disa zyrtarë të Partisë Alternativa për Gjermaninë, njofton “RTSH”.

Sipas “Korrektiv”, në atë takim, lideri i lëvizjes të ekstremit të djathtë në Austri, Martin Sellner, prezantoi idenë se si shumë të huaj mund të detyrohen të largohen nga Gjermania, përfshirë edhe ata me pasaporta gjermane.

Protestuesit në Hamburg i cilësuan planet e tyre si një sulm të neveritshëm ndaj ekzistencës së miliona njerëzve në Gjermani, por edhe vetë demokracisë së këtij vendi.

AfD-ja, duke iu përgjigjur akuzave, konfirmoi se zyrtarë të partisë të ekstremit të djathtë morën pjesë në një takim me udhëheqësin ekstremist austriak, por mohoi çdo plan për të miratuar një propozim për dëbimet masive të emigrantëve me pasaporta gjermane.

Sipas “Korrektiv”, takimi sekret i dokumentuar nga ekipi i gazetarëve investigativë është mbajtur në fund të muajit nëntor në një hotel në “Potsdam”. Gazetarëve investigativë u janë vënë në dispozicion disa dokumente edhe nga organizata “Green Peace”. (Fatosi)