Sezoni i gripit, kreu i Urgjencës apel prindërve: Mos i çoni fëmijët direkt në spital
2024-01-12 15:20:53

Foto ATSH

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se situata nga gripi në vend është shumë normale në këtë periudhë të vitit dhe u bëri apel prindërve që mos t’i dërgojnë fëmijët e sëmurë direkt në spital, duke kërkuar dhënien e antibiotikëve dhe serumeve.

Gjatë një interviste televizive, përcjell nga “ATSH”, Brataj tha se aktualisht në 400-500 vizita shtrohen 8 veta, ndërsa të tjerët kanë shkuar te mjeku kanë marrë një recetë dhe kanë ikur.

“Jemi në një situatë të zakonshme të pikut të gripit si në vendet e tjera. Shqetësim janë moshat pediatrike për prindërit, jo për ne si shëndetësi. Kjo psikoza e dërgimit në spital të bëjë një serum është gjëja më e tmerrshme te fëmijët. Fëmija nuk duhet të shpohet për asnjë arsye nëse nuk ka një dëmtim”, tha Brataj.

Sipas tij, prindërit nuk duhet të panikosen nga temperatura, e cila në shumë raste është mekanizëm mbrojtës.

“Shpeshherë i sëmuri me grip nuk ka nevojë për mjekun. Vetëm nëse pas 4-5 ditësh rishfaqen shenjat si temperatura dhe kolla, atëherë patjetër duhet t’i drejtohen mjekut”, tha Brataj.  (Irma)