Zëvendëskryeministrja: Rusia nuk sheh asnjë perspektivë për rifillimin e marrëveshjes së grurit
2024-01-12 10:51:26

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Zëvendëskryeministrja ruse, Viktoria Abramchenko, deklaroi se Rusia nuk sheh asnjë perspektivë për rinovimin e Nismës së Drithërave të Detit të Zi, njoftuan mediat lokale të enjten.

“Pjesa e dytë e nismës së grurit, e cila ofron zgjidhje për problemet që lidhen me logjistikën detare, mallrat, sigurimet dhe lidhjen e Bankës Bujqësore Ruse me sistemin e pagesave SWIFT, nuk pati ndryshime pozitive”,- tha Abramchenko gjatë një interviste mediatike, citon “Xinhua”.

Ajo theksoi se departamenti diplomatik rus ka vazhduar të punojë për marrëveshjen e grurit, por ka pak perspektiva për rifillimin e saj.

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se kushtet e marrëveshjes me Rusinë nuk u plotësuan dhe qëllimi kryesor i marrëveshjes, furnizimi me grurë për vendet në nevojë, përfshirë ato afrikane, nuk u arrit.

Nisma e Drithërave e Detit të Zi është pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar nga përfaqësuesit e Rusisë, Turqisë, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara më 22 korrik 2022, duke lejuar eksportet e drithërave dhe plehrave nga Rusia dhe Ukraina përmes Detit të Zi.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje më 17 korrik 2023, duke bërë të ditur se do të kthehej në marrëveshje sapo të përmbushet pjesa ruse e paktit. (Irma)