Universiteti i Tiranës, bashkëpunim me 6 universitete europiane për programeve të përbashkëta
2024-01-12 11:41:26

Foto ATSH

Universiteti i Tiranës nënshkroi deklaratën e përbashkët me 6 universitete europiane, në kuadër të aleancës UNINOVIS.

Rektorët e shtatë universiteteve partnere të aleancës UNINOVIS (European University data for L.I.F.E), Universiteti Sorbonne Paris Nord, Francë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Tampere, Finlandë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Würzburg-Schweinfurt, Gjermani, Universiteti i Malagës, Spanjë, Universiteti i Campania-s “Luigi Vanvitelli”, Itali, dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Kaunasit, Lituani, me praninë e dekanëve të fakulteteve të UT-së, nënshkruan deklaratën e përbashkët, e cila përcakton misionin dhe qëllimet afatgjata të aleancës, shkruan “ATSH”.

Universiteti Evropian (UNINOVIS DATA FOR L.I.F.E), i cili do të ketë zyrën e tij fizike në Universitetin partner Sorbonne Paris Nord, Paris, Francë, do të mundësojë bashkëpunimin midis universiteteve partnere si dhe me partnerët e asociuar (Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Hagë, Holandë, Universiteti Teknik i Austrisë, etj., institucione shtetërore qendrore, lokale, biznesin, etj) në secilin shtet përkatës, për zhvillimin e programeve të reja, kërkimin shkencor, ofrimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve në funksion të zhvillimit akademik, ekonomik, teknologjik, social dhe kulturor.

Studentët dhe personeli akademik i Universitetit të Tiranës do të kenë mundësinë të jenë pjesë e programeve të përbashkëta apo të dyfishta midis universiteteve të aleancës si dhe do të mund të kryejnë një pjesë të studimeve të tyre në njërin nga universitetet partnere.

Gjithashtu, diploma e përbashkët do t’u mundësojë studentëve të zgjedhin universitetin në të cilin duan të zhvillojnë një pjesë të studimeve të tyre, praktikën dhe aktivitete të tjera mësimore e shkencore.

Marrëveshja u nënshkrua në vazhdën e bashkëpunimeve mes institucioneve, për diploma të dyfishta master në “Natural Language Processing”, si dhe projektet e ndryshme dypolëshe midis personelit akademik të UT-së dhe USPNS-së. (Irma)