Kryeministri izraelit hedh poshtë akuzat për gjenocid në Rripin e Gazës
2024-01-12 11:51:16

Foto ATSH

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka përsëritur se Izraeli nuk ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës, ose të dëbojë popullsinë civile.

“Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”,- tha Netanyahu në një deklaratë video, shkruan “ATSH”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka nisur procedurat për luftën në Gaza, pasi Afrika e Jugut ka paditur Izraelin, sepse e konsideron dhunën ushtarake ndaj popullatës civile në Rripin e Gazës si shkelje të Konventës së OKB-së për gjenocidin.

Netanyahu tha se forcat izraelite po bëjnë të pamundurën për të minimizuar viktimat civile, ndërsa Hamasi po bën të pamundurën për t’i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore.

Ushtria izraelite përdor paralajmërime për t’i nxitur civilët palestinezë të largohen nga zonat e luftës, tha ai, ndërsa Hamasi përdor forcën e armatosur për t’i parandaluar ata që ta bëjnë këtë.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Gazën nga terroristët e Hamasit dhe të çlirojmë pengjet. Pasi kjo të arrihet, Gaza mund të çmilitarizohet dhe çradikalizohet. Kjo do të krijojë mundësinë për një të ardhme më të mirë për Izraelin dhe palestinezët”,- tha Netanyahu. (Irma)